Ilir Meta voton nga qelia: Patronazhistët ndaluan median pasi dola i veshur Kuq e Zi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka votuar nga qelia, duke e cilësuar ditën e sotme si një “ditë historike për shqiptarët dhe Shqipërinë”. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehu se kishte kërkuar që media të ishte e pranishme gjatë procesit të votimit në Qendrën e Votimit, por theksoi se “sapo patronazhistët u njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit”, gazetarët u ndaluan të hynin në qendër.

Meta denoncoi censurën dhe bllokimin e medias, duke theksuar se ky akt është një pasqyrë e presionit politik dhe pengesave ndaj transparencës. Ai u shpreh se këto veprime nuk do të mund të fshehin vullnetin e popullit shqiptar për ndryshim.

Ilir Meta:

Të dashur qytetarë!

Unë sapo votova sepse sot është një ditë historike për të gjithë ju dhe për Shqipërinë tonë!

Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, isha dakordësuar prej dy ditësh me administratën këtu, pas kërkesës së tyre, që të votoja sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat.

Por sapo patronazhistët njoftuan se unë dola i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.

Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës sepse ato i kujtojnë atij, por mbi të gjitha të gjithë shqiptarëve patriotë, mbrojtjen e Kushtetutës.

Se ato u kujtojnë të gjithë shqiptarëve patriotë në Shqipëri dhe anembanë botës mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga Presidenti Ilir Metaj.

Ai ka tmerr edhe nga pamjet live të Ilir Metaj sepse ka tmerr nga vota e lirë dhe liria e shqiptarëve.

Ndaj sot në këtë ndeshje historike midis “status quo”-së dhe Ndryshimit i ftoj të gjithë shqiptarët patriotë dhe kuqezinj, të votojnë, të votojnë dhe vetëm të votojnë.

Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton!

Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë!

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)