Ilir Meta ‘thyen’ heshtjen nga qelia: Krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët …

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i arrestuar sot me urdhër nga SPAK ka thyer heshtjen.

Në një status në rrjetet sociale, ai falenderon të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së lirisë për mbështetjen. Nga qelia e burgut, Meta shkruan se nga sot nis lufta për një faqe të re në përballjen me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

“Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat” shkruan ndër të tjera Meta.

STATUSI I PLOTE:

“Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë! Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë. Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.