Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, përcaktohet relatori i çështjes

Është përcaktuar relatori i çështjes për rekursin e bërë nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi në Gjykatën e Lartë kundër masave të sigurisë të vendosura nga SPAK. Magjistrati Ilir Panda është zgjedhur relator i çështjes dhe do të gjykojë këtë rekurs.

I pari që paraqiti rekursin ishte kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, më 17 janar 2025. Rekursi u depozitua nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili kërkon heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Avokati deklaroi se nuk ka prova të mjaftueshme që lidhin Metën me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 dhe po hetohet nga SPAK për akuzat:
• Korrupsion pasiv
• Pastrim të produkteve të veprës penale
• Fshehje ose mosdeklarim të pasurisë

Tre ditë pas rekursit të Metës, më 20 janar 2025, edhe Monika Kryemadhi depozitoi rekursin në Gjykatën e Lartë. Deputetja e Partisë së Lirisë është shpallur person nën hetim nga SPAK, nën dyshimet për:
• Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë në dy raste dhe në bashkëpunim
• Pastrimi i produkteve të veprës penale në bashkëpunim
• Fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe interesave private

Detaje nga dosja hetimore

Sipas dosjes prej 176 faqesh të përgatitur nga SPAK, janë administruar prova që lidhin Metën me marrëveshjen mes kompanisë CEZ dhe DIA, ku dyshohet se ka përfituar para përmes korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj. Një ndër provat kyçe janë përgjimet telefonike dhe një udhëtim drejt Çekisë, ku mendohet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.

Në dosje përfshihen edhe shpenzime të padeklaruara prej rreth 106 mijë eurosh për trajtime mjekësore të çiftit Meta-Kryemadhi. Po ashtu, SPAK përmend pagesën prej 400 mijë dollarësh për lobim në SHBA, e kryer nga LSI, por jo përmes llogarive zyrtare të partisë.

Një tjetër episod i përmendur është ndërhyrja e Metës në kohën kur ishte kryetar i Kuvendit për favorizimin e një kompanie në tregun e fibrave optike dhe blerja e një apartamenti duplex në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Meta i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. Ndërkohë, pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan momentin kur Ilir Meta u ndalua me forcë nga Policia e Shtetit.

I lindur në vitin 1969, Meta ka mbajtur disa poste të larta shtetërore. Ai u bë zëvendëskryeministër në vitin 1998, kryeministër në vitin 1999 dhe ministër i Jashtëm në vitin 2002. Meta ka shërbyer si President i Republikës nga 2017 deri në 2022 dhe aktualisht është kryetar i Partisë së Lirisë.