“Ilaria ma shpërqendronte djalin” – Dëshmia e nënës së autorit hedh dyshime të reja mbi vrasjen e 22-vjeçares shqiptare
Vrasja makabre e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, në Romë, po merr përmasa edhe më të errëta, ndërsa hetimet po zbulojnë detaje tronditëse për dinamikën e krimit dhe rolin e prindërve të autorit, Mark Samson. Në dëshminë e saj, e publikuar nga mediat italiane, nëna e autorit, Nors Mazlapan, ka shprehur hapur një qëndrim të ftohtë ndaj viktimës.
“Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë, djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”, ka deklaruar ajo, duke lënë të nënkuptohet një lloj armiqësie ndaj vajzës shqiptare, e cila prej një viti frekuentonte banesën e vogël të familjes filipinase në rrugën Homs, në lagjen “Africano” të Romës.
Autoritetet italiane po hetojnë nëse Nors Mazlapan dhe bashkëshorti i saj Rik Samson kanë bashkëpunuar në fshehjen e trupit dhe në pastrimin e vendit të ngjarjes, duke u përballur me dyshime të forta për përfshirje në krim të rëndë me paramendim. Sipas hetuesve, Mark vrau Ilarian me tre goditje thike në qafë dhe më pas e futi trupin në një valixhe, të cilën e hodhi në një greminë në Capranica, rreth 40 kilometra larg Romës.
Prindërit kanë deklaruar se “nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë” nga dhoma e të birit, ndërsa pohuan se e dinin që Ilaria ndodhej në shtëpi atë natë. Por versionet e tyre janë kontradiktore: nëna pretendon se flinte dhe nuk ka parë asgjë, ndërsa babai ka deklaruar se kishte dalë dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen. Gjithsesi, asnjëri nuk ka dhënë shpjegime të qarta për atë që ndodhi në ato 24 orë fatale.
Hetuesit po analizojnë nëse armiqësia e nënës ndaj Ilarias, e përshkruar si “e heshtur, por e pranishme”, mund të ketë ndikuar në krimin. Dyshohet se mosaprovimi i saj për lidhjen dhe bindjet fetare konservatore mund të kenë nxitur tensione që kulmuan me një fund tragjik. Gjurmët e gjakut të gjetura në dhomën e Markut, pavarësisht pastrimit të kujdesshëm, përforcojnë dyshimet se prindërit mund të kenë qenë të pranishëm gjatë ose pas krimit.
Ndërkohë, komuniteti filipinas në lagje është tronditur, ndërsa të afërmit e Markut kanë shmangur median. Xhaxhai i tij, Emilio, u largua me nxitim sapo pa gazetarët, dhe fqinjët deklaruan se nuk dëgjuan asnjë britmë.
Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa hetuesit përpiqen të ndriçojnë rolin real të prindërve në këtë vrasje që ka tronditur si opinionin publik shqiptar, ashtu edhe atë italian.