“Ikën tek shtëpia e prindërve që s’kanë lidhje”, Giovanna Nikolli reagon pas kontrolleve të SPAK: Sekuestruan sendet private…

Giovanna Nikolli ka reaguar ashpër pas kontrollit të ushtruar në banesën e saj në Elbasan nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Ajo pretendon se gjatë operacionit, që përfshiu edhe shtëpinë e prindërve të saj, u sekuestruan sende private dhe telefona pa urdhër gjykate.

Në një postim në rrjetet sociale, Nikolli shkroi:

“Nuk e di, po të vijnë të bëjnë kontroll në shtëpi, ta shkatërrojnë banesën, të ushtrojnë presion dhe të të sekuestrojnë sende private pa urdhër të gjykatës, veç këtë shtet ordiner kam parë. Përveç kësaj, të ikin te shtëpia e prindërve që s’kanë lidhje dhe t’iu marrin telefonat, pa pikë lidhje…”

Ajo paralajmëroi se nuk do të ndalojë së denoncuari këtë situatë në media.

Kontrolli dhe sfondi kriminal

Më 28 mars, SPAK lëshoi urdhër kontrolli për banesën e motrave Giovanna dhe Alda Nikolli, të cilat kanë lidhje me personazhe të njohur të botës së krimit. Giovanna është partnerja e vrasësit me pagesë Amarildo Nikolli (Xhanej), ndërsa Alda ka qenë e lidhur me Nuredin Dumanin.

Motrat Nikolli ishin shënjestër e një sulmi me tritol më 14 korrik 2023 në banesën e tyre me qira në Elbasan. Në këtë shpërthim humbi jetën 29-vjeçari Enea Themollari, fqinji i tyre, ndërsa ato fatmirësisht nuk ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes. Giovanna ka akuzuar publikisht Nuredin Dumanin për këtë atentat.

Lidhja e Alda Nikollit me Nuredin Dumanin

Alda Nikolli ka rrëfyer publikisht se është njohur me Dumanin përmes Amarildo Nikollit, ndërsa ky i fundit ishte i burgosur. Lidhja e tyre është zbuluar nga e dashura e Dumanit, Mirjeta Avdiu, e cila më pas dyshohet se ka ushtruar presion ndaj Aldës.

Në një intervistë për mediat, Alda ka treguar se Dumani i kishte rrëfyer disa nga krimet e tij, përfshirë edhe një përdhunim dhe një vrasje që, sipas saj, e kishte bërë me gjakftohtësi.

Ndërkohë, kontrollet dhe hetimet ndaj motrave Nikolli dhe lidhjeve të tyre me rrjetet kriminale vijojnë nga autoritetet.