I vuri flakën gruas në Korçë/ Fqinjët: Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kemi ndihmuar fikjen e flakëve të zjarrit

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja makabre e ndodhur një ditë më parë në Korçë, ku Bledar Trëndafili tentoi të digjte bashkëshorten e tij. Raportohet se 45-vjeçari fillimisht i ka telefonuar bashkëshortes së tij duke i kërkuar të dalë nga banesa për të sqaruar diçka, madje shumë metra poshtë banesës që Melisa Trëndafili kishte marrë me qira dhe jetonte me fëmijët e saj. Pasi janë takuar janë ulur në shkallët e një banese private ku ndodhi dhe ngjarja. Trëndafili i ka hedhur në trup një shishe me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.

31-vjeçarja ka trokitur në portën e një shtëpie aty pranë, banorët e të cilës i kanë ardhur në ndihmë, duke i hequr rrobat që kishte veshur dhe e kanë mjekuar me barna rrethanore shtëpie.

“Kam parë një burrë i cili në mes të rrugës fare pranë shtëpisë sime ka spërkatur me benzinë një grua e me pas i ka vënë flakën. Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kemi ndihmuar fikjen e flakëve të zjarrit. I kemi hequr të gjitha rrobat nga trupi dhe e kemi veshur por plagët me përjashtim të fytyrës dhe këmbëve, ishin të mëdha dhe pothuajse gjithë trupi ishte me plagë të shumta. Kemi lajmëruar policinë dhe ambulancen të cilët erdhën shpejt në vendin e ngjarjes.”-u shpreh fqinji.

Melisa Trendafili, e cila u dogj me benzinë nga ish bashkëshorti i saj Bledar Trendafili në Korçë, vijon të mbahet nën monitorim intensiv nga mjekët e repartit te djegieplastikës në QSUT. Momentalisht mësohet se gjendja e 31-vjecares është Stabël. E reja sipas asaj që thonë mjekët e QSUT ka pësuar djegie në 35% të trupit, në fytyrë, qafë dhe gjymtyrë. Sipas mjekëve të QSUT ndërhyrja e shpejtë e kolegëve të tyre fillimisht në spitalin e Korçës ka qenë vendimtare për jetën e 31-vjecares.

Pasditen e të shtunës Bledar Trëndafili i vuri flakën gruas, dyshohet për motive xhelozie.   Bledar Trëndafili i ka telefonuar Melisës dhe pasi ka dal tek porta e banesës ku ajo po qëndronte e ka spërkatur bashkëshorten e tij me benzinë dhe i ka vënë dhe flakën.