“I thua popullit fluturon gomari, shumë e besojnë”/ Si i përgjigjet Rama komentuesit në rrjetet sociale

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj disa komenteve të qytetarëve, duke u fokusuar tek nismat për energjinë diellore dhe perceptimet mbi punën e qeverisë. Një qytetar kërkoi informacione mbi lehtësirat për vendosjen e paneleve diellore mbi çatitë e banesave.

Në përgjigjen e tij, Rama deklaroi se qeveria do të shpallë së shpejti një paketë të dytë mbështetëse për familjarët që zgjedhin të investojnë në vetëprodhimin e energjisë diellore. “Jemi të parët në rajon për vetëprodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe bizneset. Aktualisht prodhojmë 196 megavat, 4-fishin e Serbisë dhe më shumë se 10-fishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Interesi për paketën e parë ishte i madh dhe financimi u shterua 100%. Edhe paketa e dytë do të jetë një sukses i madh,” shkroi Rama.

Në një tjetër koment, një qytetar kritikoi perceptimin publik duke thënë: “Po t’i thuash popullit fluturon gomari, shumë e besojnë.”

Rama iu përgjigj duke mbrojtur popullin shqiptar dhe theksuar vlerësimin e tij për punën e bërë: “Kush e nënvlerëson këtë popull bën një gabim të madh. Shqiptari e dallon mirë atë që bën punë nga ai që prish punë. Nuk është e vërtetë që populli i beson çdo gjëje. Nëse unë dhe Partia Socialiste fitojmë, nuk është se populli është budalla, por sepse e njeh dhe e vlerëson punën.”

Ai shtoi se nismat si ajo për pavarësinë energjetike janë arritje të rëndësishme, pavarësisht skepticizmit apo kritikave të disa grupeve në rrjetet sociale. Sipas Ramës, rrjetet sociale shpesh nuk pasqyrojnë realitetin e jetës shqiptare.

“E tillë ka qenë përpjekja për ta kthyer Shqipërinë nga një vrimë të zezë energjetike në një vend që për pak vite fiton pavarësinë e plotë energjetike. Shqiptarët nuk janë të manipulueshëm, ata japin hakun aty ku duhet,” përfundoi kryeministri.