I shumëkërkuar nga drejtësia italiane, arrestohet në Lushnje 57-vjeçari me dy emra
Është finalizuar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 42”, duke çuar në pranga një shtetas të shumëkërkuar nga drejtësia italiane.
Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, përmes strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në qytetin e Lushnjës i 57-vjeçarit Fatbardh Haxhiu, i njohur edhe me emrin Bardhyl Haxhiu.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Napolit e kishte dënuar që në vitin 2008 me 24 vite burgim për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Sipas hetimeve, Haxhiu, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, ka trafikuar sasi të konsiderueshme kokaine, që varionin nga 15 deri në 130 kilogramë, në zonën e Caserta-s, Itali.
Aktualisht, Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin me autoritetet italiane për të finalizuar procedurat e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata italiane.