I shpëtoi atentatit në 2019, ish-prokurori Arjan Ndoji kandidon për primaret e PD-së
Ish-prokurori Arjan Ndoji ka shpallur kandidaturën për të marrë pjesë në primaret e Partisë Demokratike. Ndoji, i cili i shpëtoi një atentati në vitin 2019, kur ndodhej në një automjet me Aleksandër Lahon, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, kërkon të hyjë në garën politike.
Më 1 nëntor 2019, ai u plagos në autostradën Tiranë-Durrës gjatë një atentati të armatosur. Megjithatë, karriera e tij në drejtësi u ndërpre më 6 maj 2022, kur u shkarkua nga Vettingu. Ndoji nuk e kaloi shkallën e parë të procesit të rivlerësimit, pasi iu gjetën shkelje në dy kritere kryesore: pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.
Tani, ish-prokurori synon të bëhet pjesë e politikës përmes Partisë Demokratike, duke kandiduar në primaret e saj.