Ngjarja e rëndë që tronditi fshatin Dragoç mbrëmjen e 4 janarit ka marrë zhvillime të reja pas hetimeve intensive. Ramazan Mataj, 33 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri në një pritë të organizuar nga Arjon Hasaj, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, akuzohet si bashkëpunëtor.
Sipas Policisë së Shkodrës, Arjon Hasaj e ka pranuar krimin duke deklaruar se motivi kryesor ishte “mbrojtja e nderit të motrës”, e cila, sipas tij, ishte viktimë e shpifjeve dhe videove intime të shpërndara nga Mataj. 29-vjeçari sqaroi se kishte përdorur një llogari të rreme në rrjetet sociale për të mashtruar dhe joshur Matajn drejt vendit të krimit.
Vëllai mohon përfshirjen
Nga ana tjetër, Klisman Hasaj ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar se nuk kishte dijeni për planin e vëllait. Megjithatë, policia pretendon se 20-vjeçari ka ndihmuar për fshehjen e armës së krimit, e cila fillimisht ishte fshehur në një zonë pyjore dhe më pas ishte groposur në oborrin e banesës së tyre.
Hetimet dhe arrestimi
Pas ngjarjes, Policia e Shkodrës ka kryer përgjime të shumta dhe ka siguruar prova të rëndësishme që zbardhën mekanizmin e krimit. Në biseda të regjistruara, dy vëllezërit kanë folur për ngjarjen dhe për veprimet pas vrasjes. Arma e përdorur u gjet e groposur në banesë gjatë kontrolleve të policisë.
Arjon Hasaj: “Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë.
Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër.
Në përfundim të hetimeve:
•Arjon Hasaj u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
•Klisman Hasaj u arrestua për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Prokuroria e Shkodrës, në bashkëpunim me Departamentin e Hetimeve, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga tragjedia që ka përfshirë dy familje.