I shpallur në kërkim për plagosje të rëndë, arrestohet 17-vjeçari në Durrës
Pas një kërkimi prej rreth dy muajsh, Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 17-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim që nga maji i këtij viti, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Shtetasi me iniciale A.N. akuzohet se më 14 maj 2025 ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë) një person me iniciale F.R. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wanted”
Kapet dhe vihet në pranga një 17-vjeçar, për plagosje të rëndë me dashje.
Specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wanted”.
Si rezultat, në lagjen nr. 8, Durrës, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. N., 17 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Ky shtetas, më datë 14.05.2025, ka plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. R.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.