I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet një shqiptar në Francë për prodhim dhe shitje të narkotikëve

Një shtetas shqiptar, Elton Beqiraj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Francë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Beqiraj, 46 vjeç, ishte dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Në vitin 2019, ai shiti 5 qese plastike me heroinë dhe pilula metadoni. Arrestimi u realizua pas një operacioni ndërkombëtar të koduar “Five”, ku strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tiranë bashkëpunuan me homologët në Paris.

Në këtë operacion, policia franceze lokalizoi dhe arrestoi Beqirajn, i cili është aktualisht në pritje të ekstradimit në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit për përfundimin e procedurës së ekstradimit.