I shpallur në kërkim dhe i dënuar me 5 vite burg për tjetërsim pronash në bregdet/ Arrestohet topografi Luigj Paloka në Lezhë

I shpallur në kërkim dhe i dënuar me 5 vite burg për tjetërsim të pronave në bregdet është arrestuar ditën e sotme topografi Luigj Paloka.

Sipas policisë Paloka i kishte shpëtuar drejtësisë deri më sot për tre akuzat e shpërdorimit të detyrës, grupit të strukturuar kriminal dhe falsifikimit, teksa ishte hetuar dhe gjykuar në mungesë për dosjen e tjetërsimit të 234 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin e “Ranës së Hedhun”, ku të pandehur kanë qenë një grup me të paktën 13 persona nga Prokuroria e Posaçme.

Njoftimi:

Topografi Luigj Paloka i dënuar me pesë vite burgim nga Apeli i GJKKO për “Shpërdorimi i tokës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka rënë në prangat e policisë së Lezhës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin Luigj Paloka, 83 vjeç, banues në fshatin Balldre, të cilin kjo Gjykatë e ka dënuar me 5 vjet burgim, në kuadër të një procedimi për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.