“I rrëshkiti nga duart”/ 23-vjeçarja holandeze humb jetën në shkëmbinjtë e Filikurit. Ja çfarë ndodhi!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në plazhin e Filikurit, në zonën e Potamit në Himarë, ku një shtetase e huaj ka humbur jetën pas një rrëzimi nga lartësia.

Disa turistë të huaj, adhurues të sporteve aventuriere si alpinizmi dhe hiking-u, kanë zgjedhur të zbresin drejt plazhit përmes terrenit të thepisur shkëmbor, duke shmangur rrugën e zakonshme detare me mjete lundruese apo këmbësore.

Sipas të dhënave paraprake, 23-vjeçarja me shtetësi holandeze, e cila ndodhej në shoqërinë e miqve të saj, ka rrëshqitur aksidentalisht ndërsa shoku i saj e mbante me dorë, por nuk ka mundur ta mbajë dhe është rrëzuar nga një lartësi prej rreth 30 metrash.

Menjëherë janë njoftuar shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje kanë ndërhyrë strukturat e Policisë së Himarës, policia kufitare, forcat zjarrfikëse dhe një ambulancë, të cilat kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë nga zona e vështirë shkëmbore. Fatkeqësisht, e reja nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra. Po ashtu, një 18-vjeçare ka marrë plagë nga rënia e gurëve, por jashtë rrezikut për jetën.

Turistët e pranishëm në zonë janë ndihmuar për t’u larguar në mënyrë të sigurt, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.