I dënuar për masakrën me 6 viktima, i riu del nga burgu për tu diplomuar në drejtësi … zhduket
Andrea Cavallari, 26 vjeç, i dënuar përfundimisht me 11 vjet e 10 muaj burg për masakrën tragjike të Corinaldo-s në vitin 2018, është zhdukur pas ceremonisë së diplomimit në Universitetin e Bolonjës.
Lajmi është bërë i ditur nga “Corriere di Bologna”, ku theksohet se Cavallari ka humbur çdo gjurmë që nga e enjtja.
Cavallari, me origjinë nga zona e Bassa Modenese, ishte një nga anëtarët e grupit që përdori sprej djegës gjatë një tentative grabitjeje në klubin e natës “Lanterna Azzurra” në Corinaldo më 8 dhjetor 2018. Pas shpërthimit të panikut në turmë, humbën jetën gjashtë persona, përfshirë pesë të rinj dhe një nënë e re.
I ndaluar në burgun Dozza në Bolonjë, Cavallari kishte nisur para disa vitesh studimet në Fakultetin e Drejtësisë dhe së fundmi përfundoi programin akademik. Për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit dhe për të mbrojtur tezën, atij iu dha leje nga gjykata mbikëqyrëse, pa praninë e forcave të rendit dhe i shoqëruar vetëm nga familjarët.
Pas diplomimit, Cavallari nuk është kthyer më në burg dhe autoritetet kanë nisur kërkimet për kapjen e tij. Policia ka lëshuar një urdhër ndalimi dhe hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar vendndodhjen e tij.