I buzëqeshur dhe me pranga në duar është shfaqur, Safet Bajri, para se të hynte në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Bajri akuzohet se është i lidhur me shumë ngjarje kriminale, kryesisht në Shkodër u shoqërua fillimisht në policinë e Shkodrës dhe më pas është sjellë nga forcat RENEA drejt Tiranës ku dhe do të merret në pyetje.
Sipas avokatit të Safet Bajrit ky i fundit ishte thirrur në orën 11:00 për të dhënë deklarime, por pas mbërritjes në policinë e Shkodrës, i është komunikuar se marrja në pyetje e tij do bëhet në Tiranë. Shoqërimi i Bajrit është bërë me urdhër të GJKKO pas hetimeve të kryera nga SPAK.
Ai dyshohet se ka lidhje me një ngjarje në Bushat, por edhe me vrasjen e Fatmir Licit në vitin 2018.
Vrasja e Licit
Fatbardh Lici u vra me breshëri plumbash në 10 gusht 2018, teksa ndodhej në kafe në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit në periferi të qytetit, në lagjen “Kiras”. Viktima, 53-vjeç, ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 Janar 2018. Dyshimet ishin përforcuar edhe më tej, se mes familjes Bajri dhe Lici kishte nisur lufta.
Edhe pse hetuesit u treguan të kujdesshëm për të mos dalë në konkluzione të pavërteta, fisi Bajri lakohej për këto ngjarje kriminale. Ndërkohë, dëshmitë e të afërmve të Licit nuk ndihmuan për të mbështetur dyshimet e hetuesve, se sulmi po vinte nga Bajrat.
Fatbardh Lici ishte i skeduar në Policinë e Shtetit, për dyshimet e një vrasjeje në pritë, në vitin 2011, të Astrit Kurmemaj, edhe ky gjithashtu i dënuar për vrasje. Por kjo pistë u rrëzua, pasi familjarë të Kurmemaj u panë në funeralin e Licit.
Vrasja e Fatbardh Licit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër gjatë këtyre muajve të 2018-ës. Gjithçka që policia mund të bënte ishte të ndiqte gjurmët dhe të studionte krimet në zinxhir për të ngritur pista drejt së vërtetës që nuk u gjet kurrë.
Pjesëtarë të familjes Bajri kishin qenë në vëzhgim prej të paktën gjashtë muajsh. Madje, ata mbikëqyreshin me dronë në lagjen e tyre. Por, provat që t’i implikonin Bajrat në krimet me Licët, mungonin. Edhe pse policia mbante nën vëzhgim persona të konsideruar të rrezikshëm, do të vijonin të ndodhnin të tjera ngjarje.
Përplasja në Bushat
Të paktën 3 anëtarë të identifikuar të grupit Bajri në Shkodër, verën e vitit të kaluar, kishin organizuar gjithçka, për të realizuar ndoshta një nga ngjarjet më të rëndë kriminale: Të vrisnin disa familjarë duke i shkuar befasisht në fshatin ku banojnë.
Samuel Troshani, Izmir Sakica dhe Franko Leka, bashkë me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar nga SPAK, por të konsideruar të gjithë, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, u armatosën deri në dhëmbë, me armë dhe makina të blinduara, për të vrarë një nga rivalët e tyre, Aleksandër Prendin. Grupi i shkoi në fshatin ku ai banon, Rranxë të Bushatit, pasditen vonë të 23 gushtit 2024, për ta vrarë jo vetëm atë, por të edhe anëtarë të tjerë të familjes, banues në të njëjtën zonë.
Ndërkohë SPAK ka bashkuar në një dosje dhe masakrën e Dobracit ku humbën jetën 4 persona.