I përfundon mandati si gjyqtare e Kushtetueses më 10 mars, GJL nis procedurat për zëvendësimin e Holta Zaçaj

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi se nuk ka ndërmend të njohë 10 marsin e vitit 2025 si datë të përfundimit të mandatit të saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë ajo vendosi t’i drejtohet me një kërkesë për opnion Komisionit të Venecias.

Megjithatë sot, me anë të një njoftimi Gjykata e Lartë bën me dije se ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në gjykatën Kushtetuese, duke njohur kështu vakancën pas mbarimit të mandatit të Zaçes.

Në faqen e Gjykatës Kushtetuese është publikuar dhe kërkesa që Zaçaj i ka dërguar Venecias, duke i drejtuar edhe 4 pyetje.

Pyetja nr. 1/ Cila do të jetë data e mbarimit të mandatit të atyre gjyqtarëve kushtetues për të cilët dispozitat kalimtare kushtetuese, neni 179, pika 3. i Kushtetutës, ka përcaktuar vetëm vitin e fundit të qëndrimit në detyrë (në rastin e znj. Holta Zaçaj viti 2025 dhe në rastin e z. Sandër Beci viti 2028)?

Pyetja nr. 2/ A mund të përdoret data e mbarimit të mandatit të plotë të gjyqtarit paraardhës si datë për llogaritjen e mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues, në skenarët e mëposhtëm: Në përgjithësi, për të gjithë gjyqtarët kushtetues, duke pasur parasysh përmbajtjen Kushtetutës? nenit 125, pika 3, dhe nenit 129. Në veçanti, për gjyqtarët mandatët e të cilëve mbarojnë në vite të përcaktuara, sipas nenit 179, pika 3, të Kushtetutës (2025 dhe 2028)?

Pyetja nr. 3/ Nëse një gjyqtar është zgjedhur për një mandat të plotë në referencë të shpalljes së vakancës dhe vendimit të organit të emërtesës për emërimin/zgjedhjen e tij, a mundet që ky mandat të kufizohet më pas për qëllim të respektimit të rregullit të përtëritjes së rregullt çdo tre vjet me një të tretën e trupës? Cili parim duhet të prevalojë në këto raste, ai i qëndrimit në detyrë për 9 vjet (mandati i plotë kushtetues) apo ai i përtëritjes së Gjykatës?

Pyetja nr. 4/ Nëse një gjyqtar emërohet/zgjidhet për një mandat të plotë me vonesë pas çeljes së vakancës (ndërkohë që gjyqtari paraardhës ka të drejtë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit) a do të ndikojë kjo vonesë në kohëzgjatjen e mandatit të tij kushtetues në kuptimin e shkurtimit të tij më kohën e vonesës nga shpallja e vakancës? Nëse ky mandat nuk shkurtohet, si zbatohet rregulli i rotacionit në një rast të tillë? A mund të zbatohet rregulli i përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet për më pak se tre gjyqtarë?”, thuhet në dokument.