I penduari Nuredin Dumani rrëfen në GJKKO miqësinë e kthyer në hakmarrje: Talo Çela donte të më vriste!

I penduari i drejtësisë për dosjen “Plumbi i artë”, Nuredin Dumani, ka vijuar edhe sot dëshminë e tij në GJKKO.

Dumani ka zbuluar lidhje me organizatat kriminale, vrasjet me pagesë, atentatet dhe sagën e krimeve, e deri te konfliktet me Talo Çelën, ish-mikun e tij të kthyer në armik.

Nuredin Dumani: Në vitin 2010, jam njohur me Ilirian Pecin, marrëdhënie shoqërore, kemi qëndruar tek shtëpitë e njëri-tjetrit. Jam njohur edhe me të vëllain, Bujar Çela, vetëm një herë kam qenë tek shtëpia e tij. Bujari kryente punët e Talos, takonte njerëz, dërgonte porosi etj., pasi punonte si taksist. Nga Eljo Bitri kam mësuar se Erion Alibej interesohej për mua. Dhe Eljo më tha që Erion Alibej kishte rënë në gjurmët tuaja, pasi vëllai im kishte qëlluar në drejtim të vëllait të Erion Alibejt dhe familjes së tij. Kam pranuar për një takim. Kam shkuar tek shtëpia e Elio Bitrit, ka ardhur edhe Arjan Spahiu, më kanë kontrolluar, kemi hipur në një makinë dhe më kanë çuar në një pallat. Eljo Bitrin e njoh ne 2013 apo 14 dhe kemi patur marrëdhënie shoqërore.

“Kur kam takuar Alibejn nuk shkuan për të bërë pazare për vrasje. Shkova për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin. Nuk doja t’i vrisja këta me dorën timë. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Kisha informacione që Dorian Shkoza më vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi, pastaj në Elbasan.

Emiliano Ramazanin dhe Regis Runajn kush vendosi t’i vrasë?

Pasi ikëm nga Durrësi kishim disa emra për të vrarë, në verë të 2020. Ishin shumë emra për tu vrarë. Nuk kishte radhë, kush të dilte në rrugë do vritej. Me Emiliano Ramazani e kishim më të lehtë për ta vrarë dhe u vra ai.