Miliarderi amerikan Elon Musk ka sulmuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pas përplasjes së tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në një postim në X, Musk akuzoi Zelenskyn për zgjedhjen e luftës në vend të paqes, duke e quajtur atë “të pashpirt” dhe “çnjerëzor”.
“Dy vjet më parë thashë se Ukraina ose duhet të kërkojë paqe ose të pësojë humbje të konsiderueshme jetësh pa asnjë përfitim. Kjo e fundit ishte zgjedhja e Zelenskyt,” shkroi Musk, duke ripostuar një deklaratë të tij të mëparshme.
Ai shtoi më tej: Tani ai dëshiron të bëjë të njëjtën gjë. Kjo është e pashpirt dhe çnjerëzore.”
Musk është një ndër mbështetësit e afërt të Trump dhe një zë i fuqishëm në administratën e tij. Presidenti i ka besuar miliarderit drejtimin e Departamentit të Efikasitetit, një strukturë që synon të gjejë parregullsi në agjencitë federale.
Reagimi i Musk vjen pas takimit të tensionuar mes Trump dhe Zelensky në Zyrën Ovale, ku presidenti amerikan i kërkoi homologut të tij të arrijë një marrëveshje paqeje me Rusinë, duke paralajmëruar se SHBA mund të tërhiqet nga mbështetja e saj.