I pandehur për fshehje pasurie, Asllan Dogjani paraqitet në GJKKO: Pres drejtësi
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për të marrë pjesë në seancën paraprake lidhur me dosjen që ka në ngarkim, ku do të vendoset nëse do të kalojë apo jo për gjykim. Dogjani, i akuzuar për fshehje pasurie, ka shprehur se pret drejtësi dhe i është drejtuar gazetarëve para hyrjes në ambientet e gjykatës, ku ka theksuar se është i gatshëm të përballet me akuzat.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dogjani dyshohet se ka bërë një deklarim të rremë lidhur me përfitimin e një apartamenti, duke e fshehur burimin e pasurisë. Sipas SPAK, në vitin 2010, Dogjani ka deklaruar se ka marrë një apartament prej 128.4 m² në Tiranë nga shoqëria ndërtuese “Protial” në këmbim të konsulencave juridike, por hetimet kanë treguar se ai ka paguar shumën prej 121,980 eurosh nëpërmjet pagesave cash për këtë apartament.
Në mbështetje të këtyre akuzave, prokuroria ka paraqitur prova dhe dëshmitarë që konfirmojnë se kontrata e shitjes ka pasur elemente të falsifikuara, duke synuar fshehjen e burimit të pasurisë së paluajtshme. Dogjani është akuzuar për krijimin e një pasurie në mënyrë të padrejtë, duke deklaruar të dhëna të pasakta.