I pandehur për abuzim me tenderat, deputeti i PS paraqitet në GJKKO
Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, u paraqit ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndrecaj është akuzuar nga SPAK për keqpërdorim të tenderave gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.
Sipas SPAK, ai bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë të ministrisë për të favorizuar Gjon Radovanin, duke e shpallur fitues të një tenderi për rikonstruksionin e katër komisariateve.
Hetimet tregojnë se Ndreca dhe bashkëpunëtorët e tij i dhanë përparësi Radovanit gjatë gjithë procesit të prokurimit dhe në fund i dhanë kontratën bashkë me kompaninë tjetër Derbi-E shpk, megjithëse ajo nuk përmbushte kushtet ligjore.
Nga dokumentet rezulton se Radovani është mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka pasur komunikime, dhe kjo miqësi mund të ketë ndikuar që kompania e tij të fitonte tendera pranë Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, nga hetimet dalin emaile mes Radovanit, i cili ka qenë edhe konsulent për këtë tender në Ministrinë e Brendshme, dhe Ndrecës, në të cilat diskutohen detaje për ambientet e komisariateve në Vlorë, Pogradec dhe Mirditë.