I nderuar kryeministër në detyrë deri më 12 maj…

Nga Eliona Kodra Shkreli

Rama erdhi sot në Shkodër në takimin e rradhës dhe në mungesë të argumentave bindës pse duhet shkodranët të votojnë Rilindjen e krimit, u mor me kandidatët e opozitës!

I nderuar kryeministër në detyrë deri më 12 maj,

Në fakt këneta e moçalisur fillon tek Ju, që jeni i njohur botërisht për skandalet korruptive, që jeni i vetmi kryeministër në botë që ministrat e kabinetit Tuaj, i kanë bërë qelitë e burgut si shtëpitë e tyre.

Ju, kryeministër në detyrë deri në zgjedhje, jeni modeli i kënetës së moçalisur të pazareve Tuaja me mafian dhe krimin e organizuar vetëm për pushtet dhe për të mbajtur ‘zap’ një shtet të tërë sepse egoja e sëmurë të ka kaluar përtej delirit!

Këneta e moçalisur, është qeverisja Juaj me hajdutët Tuaj të pushtetshëm, të cilët kanë grabitur shqiptarët dhe Shqipërinë përmes tenderave dhe aferave korruptive. Ju, kryeministër në detyrë deri me 12 maj, kryesoni kënetën e zullumeve të të zgjedhurve Tuaj që këtë kënetën për të cilën flisni, e kanë zgjeruar aq shumë sa Shqipëria po ‘mbytet’ nga varfëria dhe mjerimi ku e keni katandisur që nga vitit 2013 e deri më sot!

Pjesë e kënetës Tuaj për të cilën flisni, është edhe ortaku Juaj, i deleguari Juaj politik, Beci i Spak-ut, i cili vazhdon të jetë nën hetim dhe me gjasa shumë shpejt do përfundojë aty ku e ka vëndin dhe ku Ju personalisht i keni çuar të gjithë të tjerët bashkë, për të shpëtuar “kokën” Tuaj, i keni bërë ‘mish për top’, por mirë e kanë përderisa ju nënshtrohen deri aty sa të humbasin lirinë dhe të shpërfytyrojnë qënien e tyre njerëzore.

Për këneta mos fol sepse këneta që Ju keni krijuar me të zgjedhurit Tuaj është fatkeqësia më e madhe e këtij shteti që nga epoka komuniste e paraardhësve Tuaj.

“Aleanca për Shqipërinë Madhështore” ka emra të nderuar, të familjeve të nderuara shkodrane e të trevave të tjera të Qarkut Shkodër. Asnjëri nga ato zonja e zotërinj nuk kanë bashkëpunuar kurrë me krimin dhe bandat sikurse Elisa dhe Benetiani Juaj vetëm për të grabitur pushtetin e pamerituar Tëndin e të hajdutëve të Tu!

Përpara se të merresh me kandidatët e nderuar të opozitës, jepi llogari Shkodrës për investitorët e tu strategjikë që kanë grabitur pronat në Rrjoll të Velipojës, jepi llogari Shkodrës pse në 12 vite nuk realizove autostradën Milot-Shkodër, jepi llogari Shkodrës për objektet që i keni shembur dhe akoma nuk keni dëmshpërblyer të dëmtuarit, jepi llogari Shkodrës për rrenat që i keni servirur Ju prej 12 vjetësh dhe Benetiani Yt si model mashtrimi prej 2 vitesh, jepi llogari Shkodrës për drejtoritë që ia ke hequr kryeqëndrës Veriore, Shkodrës dhe i ke transferuar në Lezhë, Tiranë e Rrëshen. Jepi llogari Shkodrës për rendin e sigurinë e munguar, jepi llogari Shkodrës për rrenën mbi terminalin e autobusëve, jepi llogari Shkodrës për varfërinë dhe mjerimin që i ke mbjellë në çdo fshat e qytet, jepi llogari Shkodrës për autostradat veriore që i ke bërë të gjitha me pagesë ndryshe nga ato të Jugut, jepi llogari Shkodrës për diskriminimin që i ke bërë prej 12 vitesh etj etj…

Se kush është këneta, do të t’a tregojë Shkodra me 11 Maj, kur Ti dhe Benetiani Yt do jeni humbësit e moçalit të zi që keni krijuar në Shkodër!