I maskuar me kapuç, theu xhamin me çekiç për të vjedhur një dyqan në Mamurras, kapet autori

Një tentativë vjedhjeje në një dyqan ushqimor në Mamurras u pengua falë ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase të Policisë së Kurbinit.

Antonio Muka, 36 vjeç, banues në Mamurras, u kap në flagrancë mbrëmjen e kaluar teksa po tentonte të hynte në dyqan duke thyer xhamin e derës me një çekiç.

Burime nga Policia bëjnë me dije se Muka kishte mbuluar fytyrën me një kapuç dhe maskë, duke tentuar të kalonte në heshtje, por veprimet e tij u vunë re menjëherë nga blutë. Ata mbërritën shpejt në vendngjarje pas njoftimit të qytetarëve dhe e kapën në flagrancë teksa mbante në dorë çekiçin me të cilin kishte thyer xhamin.

Në pranga përveç autorit, u sekuestruan edhe mjetet e përdorura për kryerjen e vjedhjes: çekiçi, kapuçi dhe maska. Muka akuzohet për “Vjedhje në tentativë”, “Sigurimi i mjeteve për vjedhje” dhe “Shkatërrim prone”.

Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Lezhës për veprime të mëtejshme, ndërkohë që Policia vijon kontrollet në zonë për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme.