I kërkuar nga SPAK për pjesëmarrje në grup kriminal, kapet në Gjermani 21-vjeçari nga Puka! Arrestohet edhe një tjetër në Britani

Një 21-vjeçar shqiptar, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i akuzuar nga SPAK si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar në Gjermani. Në pranga ka rënë shtetasi me inicialet D. L., i lindur në Pukë, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” që në vitin 2021. Ai akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” në kuadër të një organizate kriminale.

Ndërkohë, një tjetër arrestim është kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka rënë në pranga një 25-vjeçar me inicialet B. Ç., i lindur në Tropojë. Sipas autoriteteve, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi në vitin 2022, gjykata kishte lëshuar ndaj tij një urdhër arresti për akuzat e “kultivimit të bimëve narkotike” dhe “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Arrestimet u bënë të mundura falë bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, nëpërmjet shkëmbimit të informacionit në kohë reale me Interpol Tiranën dhe homologët në Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuar.

Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Shqipërisë janë në proces, ndërsa hetimet mbi aktivitetet e tyre kriminale vijojnë.