“I kërkova të dorëhiqej”/ Jamarbër Malltezi rrëfen momentin kur Berisha ishte gati të largohej pas 11 majit, por…
Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, ka rrëfyer për herë të parë bisedën e tij të parë me kreun e Partisë Demokratike pas disfatës në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë për “Breaking” në Top News, Malltezi tregoi se i kishte kërkuar Berishës të jepte dorëheqjen nga drejtimi i PD-së, pasi e konsideronte të lodhur dhe të humbur mbështetjen e shqiptarëve.
Megjithatë, sipas tij, Berisha ishte ndalur nga vendimi për të lënë postin kur u zbuluan rastet e vjedhjeve dhe krimeve zgjedhore që sipas Malltezit vërtetuan kriminalizimin e votës, sidomos të diasporës.
Malltezi pranoi se brenda PD ekzistojnë zëra për lidership të ri, gjë që e sheh si pozitive dhe shenjë demokracie në parti, në kontrast me qeverinë aktuale që sipas tij ushtron kontroll dhe shkel Kushtetutën.
Ai theksoi se PD ka kaluar procese të rënda dhe tani po futet në një fazë analizash dhe rizgjedhjeje, ndërsa vetë nuk ka ambicie politike, por do qëndrojë kundër “Partisë Komuniste” dhe qeverisë Rama.
“Është gjë e mirë që brenda PD ka zëra për lidership të ri, tregon që PD është demokratike ku secili thotë atë që mendon, ndryshe nga partia tjetër, që i shkarkon me gisht të gjithë drejtorët e gjithë drejtorive duke i bërë atentat kushtetutës dhe konventave Europiane.
PD u gjuajt që të vritej, jo të dobësohej, i morën peng logon vulën e financat, E sulmuan dhe i burgosën liderët. Ka kaluar në procese vrastare. PD pas gjithë këtyre proceseve ka një lidership që do ketë nevojë të bëjë analizë dhe të gjitha me radhë. PD do futet në proces analize dhe rizgjedhjeje.
Fill pas zgjedhjeve i kam thënë vetë Berishës që nuk ja vlen më se është lodhje, ai vetë po e shihte… shqiptarët nuk e duan këtë dhe duhet të japi dorëheqjen. Por kur dolën faktet dhe dokumentet e vjedhjeve, rastet e tmerrshme nga krimet zgjedhore… Berisha e ka dhënë dorëheqjen në 2013 kur kuptoi që shqiptarët nuk e pranuan, ishte krejt normale. Berisha do priste numërimin dhe mund ta bënte, por dolën faktet që tregoi kriminalizimin e votës së diasporës.
Ne kemi treguar që jemi kundër partisë shtet. Në 10 vite sa ishte Basha, thjesht e kemi ndihmuar PD pa asnjë interes. Berisha e mori sepse PD ishte marrë peng dhe ishte kthyer monedhë këmbimi. Berishës ia mbushën stadiumin, na bëri të uleshim bashkë. Unë nuk kam ambicie politike por për çfarëdo lloj pozicioni jam i gatshëm. Jam kundër Partisë Komuniste dhe do jem kundër Ramës gjithmonë”,-tha ndër të tjera Malltezi.