“I ka ikur mendja për terital”/ Rama ironizon Berishën për protestën kundër mbylljes së TikTok: Gratë të mbajnë burrat mbyllur më 11 maj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas thirrjes së ish-kryeministrit Sali Berisha drejtuar gjimnazistëve për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok në Shqipëri.

Rama e cilësoi këtë thirrje si një sinjal shqetësues për nënat shqiptare, duke iu drejtuar me një mesazh grave demokrate: “Burrat mbajini në shtëpi më 11 maj, jo fëmijët pa shkollë.”

“U ftuan fëmijët të mos shkojnë në shkollë e të protestojnë pse do të mbyllet TikTok. Kjo është një mënyrë që nuk ka nevojë për asnjë koment dhe argumentim, por që u thotë të gjitha nënave nëse janë socialiste apo demokrate, se nga çfarë duhet të ruhen më 11 maj dhe çfarë duhet të kenë parasysh. Në 11 maj kush voton duhet të ketë parasysh që ka në dorë të mbështesë Shqipërinë për të mos humbur asnjë ditë nga negociatat me BE-në.

Më tej, Rama ironizoi Berishën duke e cilësuar thirrjen e tij si një “mendje e ikur për terital”, duke nënkuptuar se opozita është e paaftë për të ofruar alternativa reale për qytetarët.

Protesta e paralajmëruar kundër mbylljes së TikTok vjen pas vendimit të qeverisë për të ndaluar këtë rrjet social në Shqipëri, me argumentin se përbën një rrezik për sigurinë kombëtare dhe për ndikimin e tij tek të rinjtë.