“I hyri në dhomën ku jetonte me shoqet dhe tentoi t’i merrte laptopin, por…” – Zbardhen detaje të reja për vrasjen e Ilaria Sulës nga ish i dashuri filipinas
Po dalin në dritë detaje tronditëse lidhur me vrasjen makabre të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila u vra brutalisht nga ish i dashuri i saj, 23-vjeçari filipinas Mark Samson. Pas krimit të rëndë, ai e futi trupin e saj në një valixhe dhe e hodhi nga një shkëmb, në një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në Itali dhe më gjerë.
Sipas burimeve nga mediat italiane, që i referohen të dhënave të reja dhe rezultateve paraprake të autopsisë, dyshohet se Ilaria kishte shkuar në banesën e Markut për të marrë disa nga rrobat dhe sendet e saj personale. Ajo kishte kohë që ishte ndarë nga ai, por lidhja mes tyre kishte mbetur konfliktuale.
Prokuroria ka bërë të ditur se pak para vrasjes, Mark Samson kishte tentuar të hynte në dhomën e Ilarias, ku ajo jetonte me qira së bashku me disa shoqe. Ai kishte provuar të merrte laptopin e saj, por ishte ndaluar nga shoqet e 22-vjeçares, të cilat nuk e lejuan të marrë asgjë.
Pas këtij incidenti, Ilaria dhe Marku janë përballur me njëri-tjetrin, dhe sipas të dhënave të deritanishme, aty ka ndodhur edhe një debat mes tyre. Kjo përballje e fundit mund të ketë qenë pika e fundit që çoi në kryerjen e krimit tragjik.
Në dëshminë e tij para autoriteteve, Mark Samson ka pretenduar se ka “humbur toruan” pasi ka parë disa mesazhe që Ilaria po shkëmbente me një djalë tjetër. Ai ka pohuar se vetë Ilaria ia kishte treguar këto mesazhe, gjë që sipas tij e ka revoltuar dhe e ka çuar drejt aktit të tmerrshëm.