Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e produksionit të emisionit “Big Brother VIP Kosova” për të përfshirë ish-bashkëshortin e Drenusha Latifit, i cili ka qenë i denoncuar për dhunë në familje, në edicionin e tretë të këtij formati. Sipas deklaratës zyrtare, kjo përfshirje minimizon dhe normalizon një fenomen të rrezikshëm me të cilin përballet shoqëria kosovare, siç është dhuna në familje.
Koordinatorja Kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe Grupi Ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, e ka dënuar këtë vendim, duke theksuar se personi në fjalë ka pasur një urdhër mbrojtjeje që nga shtatori i këtij viti. Sipas deklaratës, një veprim i tillë nga produksioni i “BBVK” jo vetëm që minimizon seriozitetin e dhunës në familje, por edhe i jep një platformë publike një individi të denoncuar për akte dhune, duke ndikuar negativisht në perceptimin e këtij problemi nga publiku.
Ministria kërkon ndërmarrjen e veprimeve urgjente për të adresuar këtë çështje dhe për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.