I drejtuan armën, kërcënohet djali i ish-kandidatit për Kryebashkiak të Shkodrës

Dy persona, që lëviznin me motor, dyshohet se i kanë drejtuar një armë zjarri Arlind Bushatit, djalit të Xhemal Bushatit, i cili në 2023 kandidoi për kryebashkiak të Shkodrës nën siglën e PD-së.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të enjtes, ndërsa 32-vjeçari Arlind Bushati ka kryer një kallëzim mëngjesin e sotëm në Policinë e Shkodrës.

Bushati ka qenë në një lokal në zonën e pedonales në Shkodër, kur dyshohet se dy persona që lëviznin me motor i kanë drejtuar armën.

Dyshohet se arma ka qenë automatike, por nuk ka pasur të shtëna. Dy personat ishin me skafandër, ndërsa nuk dihet nëse janë identifikuar ose jo.

NJOFTIMI I POLICISË:

“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.

Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit”, thuhet në një njoftim zyrtar.