“I dinim çdo lëvizje”, Nuredin Dumani rrëfen vrasjen e Fatmira Dedës: Plani ishte ta kryenim te varrezat, e ndryshuam sepse ..

Nuredin Dumani ka treguar me detaje vrasjen e Fatmira Dedës, 60 vjeçares që u ekzekutua më 14 shtator 2013 në Durrës. Viktima kërkonte drejtësi për djalin e saj Ervis Deda, që ia vranë dhe nuk po gjente dot autorët. 

Krimin monstruoz e kreu Talo Çela. 60-vjeçarja u qëllua me mjete metalike, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në zonën e Fermentimit për të marrë makinën e saj.

PJESE NGA SEANCA “PLUMBI I ARTE”:

Av: A mund të na thoni detaje të planifikimit të vrasjes së Fatmira Dedës?

Dumani: Pasi vendosëm me Talo Çelën për vrasjen e Fatmira Dedës dhe diskutuam si të mos dukej shumë e rëndë. Ajo shkonte shpesh në varreza. Ne e njihnim Fatmirën. Vinte aty ajo, sepse i ishte vrare djali. Vinte aty dhe i shante ata Qolët.

Av: Kur e keni aktivizuar Dorian Shkozën?

Dumani: Ai u aktivizua pasi fola me Festim Qolin dhe Talo Çelën. Pasi fola me Festimin tek palestra në NishTulla, fola me Talo Çelën të nesërmen, ose pas dy ditësh. Fola dhe me Qimen. Këtë të fundit e kam njohur nga Talo Çela në Elbasan. Ka pasur një makinë që ia dha Dorian Shkoza. Mjeti “Alfa Romeo” u aksidentua kur ai ndjekte lëvizjet e Fatmira Dedës. Më kujtohet pamja fizike e tij, por emrin nuk ia kujtoj.

Av: Pra ishit me Dorian Shkozën dhe Qimen?

Dumani: Me Dorianin kisha folur vetëm unë. Kur ne nisëm lëvizjet, Doriani më gjeti një makinë. Na duhej për ndjekjen e Fatmira Dedës dhe vrasjen e saj.
Fatmira shkonte në orën 7 tek varrezat. Ne i studiuam të gjitha lëvizjet e saj. Ishte planifikuar që vrasja do të bëhej tek varrezat. Doriani u shkëput pas disa ditësh, pasi u frikësua pak.

Av: Si vazhdoi plani?

Dumani: E morëm vesh itinerarin e gjithë ditës së viktimës. E ndjeknim me segmente kohore. Dinim orën kur shkonte tek karburanti, kur shkonte tek varrezat dhe kur shkonte tek një spital në Currilat. Shumë herë e kam ndjekur edhe unë vetë. Ndjekja niste jashtë lagjes. Edhe Talo e ka ndjekur. Por ndërsa ne po ndjeknim, erdhi Festimi nga jasht shtetit. Na tha “pse se keni bërë?” Unë tek varrezat nuk e mora përsipër ta bëja, se duhet të ecim shumë në këmbë. Aty pastaj vendosëm ta bëjmë vrasjen tek garazhi. Aty hyri në lojë Agroni.

Av Ilia: Kur e ndryshuat planin, cili e vendosi?

Dumani: Unë me Festimin.

Av: Kishe folur ndonjëherë me Petrit Qolin për këtë?

Dumani: Jo, deri para ndryshimit të planit nuk kam folur as me Gonin as me Petritin.

Av: Si ndodhi pastaj?

Dumani: Ne vendosëm ta bëjmë tek garazhi, por të dukej si grabitje. Festimi më tha që do të na ndihmonte edhe Agroni. Do të ishte informator.
Pasi ne hoqëm dorë nga vrasja tek varrezat, Festimi tha që më mirë të vritej tek garazhi dhe të dukej si grabitje. Unë i thashë që ishte vështirë, pasi do ishim në qytet. Festimi i bëri vetë punët e veta me vëllain e vet dhe kushëririn e vet. Pasi u konsultuam, morëm dhe miratimin e njerëzve të tij. Madje na tha që do kishim garanci që mos na kapte policia. Këtë nuk e besova, sepse unë isha me makinë pa dokumente dhe me armë me vete. Unë mora masat që të mos na ndalonte policia dhe ashtu ndodhi.

Disa ditë më vonë, Festimi më tha që do të merrje një telefon ti dhe Agroni. Nuk do flisni me ta, por vetëm një sms “erdha, s’erdha”. Talo nuk e kundërshtoi planin.