I dënuar për vrasjen e 4 efektivëve, dështon sërish seanca ndaj Dritan Dajtit! Zbulohet shkaku

Seanca gjyqësore ndaj Dritan Dajti, të dënuarit për vrasjen e katër efektivëve të policisë, është shtyrë sërish për arsye të pamundësisë teknike. Gjyqtarët e Gjykatës së Elbasanit nuk kanë mundur të realizojnë lidhjen me videokonferencë me IEVP Peqin, ku ndodhet Dajti. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka refuzuar shoqërimin e tij në ambientet e gjykatës për arsye sigurie.

Përveç shtyrjes së seancës, Dajti ka kërkuar që gjykata të konstatojë dhe të shpallë pavlefshmërinë e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e tij, duke argumentuar se mungojnë nënshkrimet e katër anëtarëve të trupit gjykues. Ai gjithashtu ka pretenduar se ka përfunduar dënimin më 17 Gusht të vitit 2024 dhe po mbahet në qeli pa të drejtë. Nëse gjykata nuk e pranon këtë, Dajti ka kërkuar që të lëshohet urdhri i ekzekutimit për dënimin e tij të përjetshëm, një kërkesë që ai thotë se nuk është zbatuar ende.