I dënuar për vrasje në Gjermani, arrestohet një person në Tiranë me armë dhe municion të fshehur në krevat
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ekol”, duke arrestuar në flagrancë një shtetas të dyshuar për armëmbajtje pa leje.
I arrestuari, shtetasi V.K., banues në Tiranë dhe i dënuar më parë për vrasje në Gjermani, mbante të fshehura në banesën e tij një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Armët dhe municioni u zbuluan gjatë një kontrolli nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, të cilat vepruan pas informacioneve të marra nga inteligjenca policore.
Materialet e sekuestruara janë dorëzuar në Prokurori, ndërsa hetimet për veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi po vazhdojnë. Policia thekson se operacionet për goditjen e armëmbajtjes pa leje do të vijojnë me intensitet të lartë.