I dënuar për vrasje dhe arratisje nga burgu, izolohet në 41-bis Altin Kodra

Sot, më datë 16.12.2024, u vendos në Regjim të Posaçëm (41-bis) në burgun e sigurisë së lartë për një afat prej 1 (një) viti, pranë IEVP-së Peqin, i burgosuri Altin Kodra. Kalimi i tij në këtë regjim u bë nëpërmjet Urdhërit Nr. 623, datë 16.12.2024, “Për vendosjen në regjim të posaçëm të të drejtat në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë, të të burgosurit Altin Kodra” të Ministrit të Drejtësisë.

Altin Kodra është dënuar me 22 vjet burgim me vendimin nr. 236, datë 10.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/2 të Kodit Penal.

Gjatë kohës që ka qenë duke vuajtur dënimin, ai është dënuar edhe për vepra të tjera penale. Me vendimin nr. 128, datë 11.10.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është dënuar për kryerjen e veprës penale “Largim nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga nenet 323-25-22 të Kodit Penal. Po ashtu, është dënuar në dy raste të tjera, me vendim të formës së prerë nr. 576, datë 02.07.2021 dhe nr. 278, datë 04.05.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, sipas nenit 324/a/1 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.

Regjimi i posaçëm “41-bis” është një masë për të burgosurit që janë të përfshirë në veprime të rënda penale, si pjesëmarrës në grupe të strukturuara kriminale, organizata kriminale, banda të armatosura ose organizata terroriste. Ky regjim është një masë për sigurinë e lartë dhe për individët me statusin e të paraburgosurit.