I dënuar në Itali për trafik lënde narkotike, konfiskohen pasuritë e “Zotit të Drogës” 

Pasuritë e Alket Hatijas, trafikantit shqiptar të njohur ndryshe edhe si “Zoti i drogës”, i cili është dënuar me 20 vite burg nga autoritetet gjyqësore italiane për trafikim të lëndëve narkotike janë konfiskuar. 

Bëhet fjalë për 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë, të regjistruara në emër të Alketit dhe familjarëve të tij. 

Hatija ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge, rreth 10 kg heroinë për çdo rast.

Njoftimi i plotë:

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij, konkretisht: 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë. 

Shtetasi Alket Hatija, gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali. Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast)”