I dënuar në Itali me 14 vite burg për tentativë vrasje dhe vjedhje, arrestohet 52-vjeçari në Portin e Durrësit
Një 52-vjeçar nga Kamza, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Portin e Durrësit si rezultat i operacionit policor të koduar “Five Charges”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u krye në kuadër të forcimit të kontrolleve në pikat kufitare, me synim kapjen e personave të kërkuar për krime ndërkufitare. Shtetasi i arrestuar, Pllum Daci, ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma që prej datës 24 korrik 2024.
Daci ishte dënuar nga Gjykata e Napolit në Itali me një dënim prej 14 vjet e 10 muaj burg, nga të cilat i mbeten për të vuajtur edhe 13 vjet e 9 muaj. Ai ishte shpallur fajtor për disa vepra të rënda penale, përfshirë:
• Tentativë vrasjeje,
• Grabitje,
• Kanosje,
• Vjedhje,
• Shfrytëzim prostitucioni.
Sipas autoriteteve, Daci u kap në Portin e Durrësit gjatë tentativës për të tërhequr një automjet të dërguar nga jashtë shtetit nga të afërm të tij. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve dhe njësitë e kontrollit të territorit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me Interpol Romën, ka nisur procedurat për ekstradimin e Dacit drejt Italisë, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.
Policia Kufitare ka theksuar se do të vijojë të intensifikojë kontrollet për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare dhe për të kapur personat në kërkim ndërkombëtar.