I dënuar me “arrest me burg”, vetëdorëzohet në polici avokati Radovan Çela
Avokati Radovan Çela, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës. Çela është i përfshirë në hetimet e njohura si dosja “Toyota Yaris”, ku akuzohet për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Dosja në fjalë lidhet me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove të fshehura në dy automjete tip “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, një çështje e cila ka përfshirë disa emra të njohur të drejtësisë shqiptare.
SPAK ka ngritur akuza edhe ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, ish-oficeren e policisë gjyqësore, Erjona Dautaj, dhe Astrit Vladit, kushëri i Elvis Vladit, i cili është dënuar më herët për këtë çështje.
Sipas akuzës, Radovan Çela dyshohet se ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë.
Konkretisht, ai akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.