Policia ka vënë në pranga një 48-vjeçar të shpallur në kërkim, i dënuar me 6 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
I arrestuari është Orges (Dritan) Jahelezi, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Operacioni policor i koduar “Tempus” u finalizua nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, pas një pune të mirëorganizuar bazuar në informacione të siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen e tij.
Gjatë këtij operacioni, 48-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua, duke iu dhënë fund kërkimit të tij. Vendimi për dënimin e tij ishte marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për aktivitetin e grupit kriminal vijojnë, ndërsa pritet që arrestimi i Jahelezit të ndihmojë në zbardhjen e të tjera detajeve lidhur me këtë rrjet të organizuar kriminal.