I dënuar me 21 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen që kreu i vëllai, i burgosuri pretendon se u dënua pa prova

Gentian Hoxhaj është dënuar me 21 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë, por pretendon se është i pafajshëm dhe është dënuar pa prova. Në një intervistë për “Jetë Shqiptare” në RTSH, ai thotë se provat që tregonin se ai nuk ishte prezent në ngjarje nuk u morën parasysh nga drejtësia.

Ngjarja ka ndodhur në 2001 pas një sherri mes të rinjve, ku autor i plagosjes ishte vëllai i tij, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Gentiani pretendon se nuk ka qenë prezent.

“Jam në burg që prej 2008 dhe jam dënuar për 21 vite për vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim. Në 2001 ka qenë vëllai që kreu ngjarjen pas disa ngatërresave dhe tani ndodhet në burg përjetë edhe për disa vepra të tjera. Kishte prova që unë nuk mora pjesë por nuk u morën parasysh dhe më arrestuan në Spanjë dhe kur më sollën më futën në burg pasi dënimi ishte dhënë në mungesë. Unë jetoj me shpresë dhe herët a vonë e vërteta do dali”, tha ai

Prej 16 vitesh në burg, Gantiani ka zhvilluar pasionin e punimeve artistike, ku sipas tij është ajo e mban të angazhuar për të mos menduar për situatën ku ndodhet.

“Punimet artistike duhet të kesh pasion, t’i duash dhe ‘ti punosh me qejf, kam bërë korniza, çifteli lahuta, mund të bëj çdo gjë. Sa herë vij këtu për të punuar hyj në botën time dhe harroj çfarë ka përjashta”, tha ai/rtsh.al