I dënuar me 14 vite burg në Itali, 52-vjeçari që fshihej pas emrave të rremë arrestohet në Shqipëri
Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar me 14 vite burg për tentativë zhvatje, vjedhje, grabitje, tentativë vrasje dhe shfrytëzim prostitucioni, kryer në provincën e Kazertës në vitet 2010-2011 është arrestuar nga policia shqiptare.
Arrestimi u bë në kuadër të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Në vitin 2010, 52-vjeçari shqiptar, së bashku me shqiptarë të tjerë, kishin tentuar të vrisnin një person duke e goditur me thikë në kokë dhe gjoks.
Po atë vit ishte përgjegjës për shfrytëzimin e dy femrave, të cilat i kishte detyruar të kryenin prostitucion, duke i kërcënuar dhe sulmuar disa herë fizikisht.
Më tej, në vitin 2011, në Calvi Risorta, me tre bashkatdhetarë të tjerë dhe një shtetas italian, 52-vjeçari kishte vjedhur pesë automjete brenda një zone të rrethuar, duke i kërkuar më pas pronarëve të tyre një shpërblim për kthimin e automjeteve.
Më pas ai kishte tentuar të zhdukej në Itali, duke përdorur pseudonime të ndryshme. Në vitin 2021, pak para se të merrte formë të prerë dënimi, u zhduk duke u kthyer në Shqipëri, ku jetonte me një emër të rremë. Tashmë ndaj tij kanë nisur procedurat e ekstradimit në mënyrë që të vuajë dënimin në Itali.