I dehur në timon dhe kundërshtoi policët, arrestohet djali i biznesmenit Samir Mane! Përplasi dy automjete të parkuara
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë Martin Mane, 28 vjeç, djalin e biznesmenit të njohur Samir Mane, pas një incidenti rrugor që përfshinte drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit dhe përplasjen e disa automjeteve në rrugën “Xhorxh Bush”.
Sipas burimeve zyrtare, i riu, i cili ndodhej nën ndikimin e alkoolit, humbi kontrollin e automjetit duke përplasur dy automjete të parkuara. Pas incidentit, ai tentoi të largohej nga vendngjarja, por u ndalua nga efektivët e Policisë Rrugore. Në momentin e ndalimit, Mane kundërshtoi forcat e rendit dhe refuzoi fillimisht kryerjen e testit të alkoolit. Megjithatë, testimi konfirmoi se ai ishte në gjendje të dehur.
Ngjarja ka ndodhur pranë Parlamentit, dhe për fat të mirë nuk pati të lënduar nga përplasja e automjeteve. Policia konfirmon se Martin Mane pritet të dalë përpara Gjykatës së Tiranës ditën e hënë për t’u njohur me masën e sigurisë.
Në të njëjtën operacion, Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi edhe dy shtetas të tjerë për incidente të ngjashme:
•Xh. A., 33 vjeç, për drejtim automjeti në gjendje të dehur, duke shkaktuar një aksident me dëmtime të lehta për dy pasagjerë.
•A. L., 21 vjeç, për drejtimin e një motomjeti pa leje përkatëse.
Materialet procedurale për të gjithë personat e ndaluar i janë dorëzuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.