“I çova mëngjesin në shtrat dhe e vrava me thikën, më tradhtonte” – Rrëfimi tronditës i vrasësit të Ilaria Sulës, pse versioni i tij nuk bind hetuesit

“I çova mëngjesin në shtrat kur i erdhi një mesazh në telefon. Më tha se po njihej me dikë tjetër dhe humba kontrollin. Në tabaka ishte thika e bukës, e mora dhe e vrava. Vdiq menjëherë, nuk u mbrojt.”

Kështu është shprehur në gjykatë Mark Samson, 23-vjeçari që pranoi se kishte vrarë 22-vjeçaren shqiptare, Ilaria Sula, në apartamentin ku jetonte me prindërit e tij në lagjen “afrikane” të Romës.

Ngjarja ndodhi më 26 mars, një ditë pasi Ilaria kishte shkuar për t’i kthyer disa rroba Markut dhe kishte vendosur të kalonte natën në banesën e tij. Sipas rrëfimit të Markut, gjithçka ndodhi në mëngjes, për shkak të xhelozisë, kur zbuloi se Ilaria po njihte dikë tjetër.

Por versioni i tij nuk ka bindur hetuesit. Autopsia ka zbuluar se Ilaria kishte stomakun bosh, duke përjashtuar mundësinë që të kishte ngrënë mëngjesin, gjë që vë në pikëpyetje deklaratën e tij për kohën e vrasjes. Hetuesit dyshojnë gjithashtu për një vrasje me paramendim, duke pasur parasysh mënyrën sistematike se si ai e pastroi vendin e krimit dhe fshehu trupin.

Pas vrasjes, Mark ka shpjeguar se kishte shkuar të blinte detergjentë dhe lecka, kishte mbështjellë trupin me celofan dhe e kishte futur në një valixhe, të cilën më pas e hodhi nga një shkëmb në Capranica. Ai kishte pastruar gjurmët e gjakut dhe kishte hedhur mjetet që përdori, përfshirë thikën, në një qilim.

Gjithashtu, pas vdekjes së Ilarisë, ai kishte vijuar të përdorte telefonin e saj për të çorientuar të afërmit dhe ndjekësit në rrjete sociale, duke përditësuar profilin e saj në Instagram dhe dërguar mesazhe qetësuese të atit të saj. Telefoni i vajzës ende nuk është gjetur – dyshohet se e ka hedhur në një pusetë.

Prokuroria ka kërkuar hetime shtesë, përfshirë edhe për rolin e mundshëm të prindërve të tij në fshehjen dhe pastrimin e vendit të krimit. Fakti që në makinë nuk janë gjetur gjurmë gjaku, nxit më tej dyshimet se vrasja është kryer më herët dhe është planifikuar me kujdes.

Fjalë kyçe: Ilaria Sula, Mark Samson, vrasje me thikë, Romë, krim xhelozie, trup në valixhe, telefon i zhdukur, hetime, autopsi, prindërit e autorit, Instagram, mashtrim pas vrasjes, vrasje me paramendim.