I akuzuari për vrasjen e Kastratit në kërkim prej 2019, lëvizte lirshëm nëpër Shqipëri

Një nga të akuzuarit për vrasjen e Shkëlzen Kastratit rezulton të ishte në kërkim që prej 2019. Bëhet fjalë për Ermir Tufën që pavarësisht kësaj ai duket se ka lëvizur lirshëm në Shqipëri, madje duke u bërë pjesë dhe e ekzekutimit me armë në Fier. Sipas dokumenteve prokuroria ende nuk ka dhënë masën e dënimit për të.

Elmir ose Ermir Tufa nga fshati Buran i Krujës, i cili sipas hetimeve të prokurorisë së Fierit, është njëri nga autorët e vrasjes së Shkëlzen Kastratit, rezulton të jetë dhe autor i grabitjes me armë të 19 mijë eurove, ngjarje kjo e ndodhur në 25 shtator 2018 në lagjen “Pavarësia 2” në Vlorë.

Mësohet se nëpërmjet dokumentave zyrtare se që prej datës 27 nëntor 2019 ende dhe sot, Elmir ose Ermir Tufa, vijon të jetë në kërkim, për ngjarjen e grabitjes me armë së qytetarëve në furgonin që sapo kishte mbëritur nga Bari në Vlorë.Kërkimet për të janë kryer për disa muaj nga ana e komisariatit të policisë Vlorë, por nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Ndërsa dy bashkëpuntorët e tij në grabitjen e 25 shtatorit 2018, Armand Kuqi dhe Ylli Murati, momentalisht ndodhen në burg.

Çështja penale kundër tre personave momentalisht ndodhet në proces gjykimi për akuzën e “Grabitjes me armë” kryer në bashkëpunim dhe pritet që në seancën e radhës prokuroria të lexojë pretencën, duke kërkuar masat e dënimit për secilin prej tyre.

Për një periudhë kohe prej gati 1 vit e gjysëm, Tufa ka qëndruar në kërkim me vendim të gjykatës së Vlorës.

Por kjo nuk e ka penguar që të lëvizë lirshëm në disa qytete të Shqipërisë, si dhe të marë pjesë në ekzekutimin me armë të Shkëlzen Kastratit, ngjarja kjo e ndodhur në 1 shkurt 2021 në Fier.

Në këtë atentat, njëri nga personat e kërkuar për këtë vrasje dhe që ka dyshime të jetë qitësi, është pikërisht Elson Xheçuka nga Kamza.

Sipas policisë Elson Xheçuka, rezulton të jetë vëllai i Hektor Xheçukës, që u arrestua në vitin 2018 dhe më pas u lirua nga burgu në Prill 2019, si person i dyshuar në vrasjen e shtetasit Emiljano Boçi.

Momentalisht për këtë krim është arrestuar vetëm Albert Zaja, ndërsa Elson Xheçuka, Elmir Tufa dhe Silvio alias Roland Cara, vijojnë të jenë në kërkim.

Të katër persona kanë pasur detyra të ndara në këtë atentat, ku dy i janë afruar me makinën tip “Range-Rover”, objektivit Shkëlzen Kastrati.