Lidhje me krimin e organizuar, GJKKO dënon ish-kreun e Prokurorisë Vlorë, Aurel Zarka

Gjykata e Posaçme shpall vendimin për ish-prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka. Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Bibe Ndreca dhe Rudina Palloj, ka vendosur 4 vite burg për Zarkën. Me gjykim të shkurtuar (ulje 1/3 e dënimit), dënimi përfundimtar është 2 vite e 8 muaj burg, si dhe ndalim për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.

Sipas SPAK, nga hetimet paraprake të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se personat nën hetim Aurel Zarka, Erjona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe Astrit Vladi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë.

Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë u nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Sipas prokurorisë, është provuar fakti se katër të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë; sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

Në vitet 2019-2020 kur janë kryer veprimet e kundraligjshme, Zarka ka qenë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Vlorës, e pandehura Eriona Daupaj ka qenë oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krime të Rënda dhe më pas në SPAK, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qenë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasit Alfred Vladi në çështjen “Toyota Auris” – procedim që u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Kryesuesi i trupës gjykuese, gjyqtari Erjon Çela pohoi se seanca filloi disa minuta me vonesë për arsye se një prej anëtarëve të trupit gjykues, gjyqtari Bib Ndreca, ishte në disa seanca të tjera të njëpasnjëshme që zgjatën tej afateve të parashikuara. Anëtarja tjetër e trupës është gjyqtarja Rudina Palloj.

I pandehuri Zarka kërkoi gjykim të shkurtuar në seancën paraprake, kërkim që u konfirmua prej përfaqësuesit ligjor të tij, avokatit Julian Mërtiri. Gjykata vërejti se Zarka ka lëshuar prokurorë të posaçme për avokatin Mërtiri, për ta përfaqësuar me të gjitha tagrat, në prani dhe në mungesë të tij. Gjykimi ndaj Zarkës filloi i veçuar, pasi ishte i vetmi prej katër të pandehurve që nuk iu shmang arrestimit në korrik të vitit të kaluar, si dhe nuk ankimoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” të caktuar ndaj tij.