I akuzuar në Spanjë si pjesëtar i një organizate kriminale, arrestohet 28-vjeçari në Durrës
Një 28-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle, është arrestuar në Durrës gjatë një operacioni të koduar “Ghost”.
Ilirjan Mici u kap në banesën e tij në fshatin Likmetaj, me qëllim ekstradimin drejt Spanjës. Ai akuzohet për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike dhe pastronte paratë e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas policisë, Gjykata e Madridit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” më 28 dhjetor 2023. Për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, ai rrezikon një dënim maksimal prej 26 vitesh burg.
Operacioni u zhvillua nga forcat operacionale të DVP Durrës në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve. Pas arrestimit, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi do të ndjekin procedurat për ekstradimin e tij në Spanjë.