Hyjnë në fuqi tarifat amerikane për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika

Shtetet e Bashkuara vendosën të martën tarifa të reja prej 25% për eksportet nga Meksika dhe Kanadaja, duke injoruar provat se vendet fqinje kufizuan migrimin e paligjshëm dhe rrjedhën e drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, siç kishte kërkuar Presidenti Donald Trump.

Udhëheqësi amerikan njoftoi për herë të parë tarifat një muaj më parë dhe i pezulloi ato shpejt, pasi udhëheqësit kanadezë dhe meksikanë u zotuan të ndërmarrin veprime. Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën pasdite se tha se nuk kishte asnjë shans për Meksikën apo Kanadanë për të shmangur tarifat.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij “nuk do ta lërë këtë vendim të pajustifikuar të mbetet pa përgjigje” dhe njoftoi se do të vendosë tarifa prej 25% për mallrat amerikane me vlerë prej 155 miliardë dollarësh.

Kryeministri Trudeau tha se vendimi i Presidentit Trump “do të prishë një marrëdhënie tregtare jashtëzakonisht të suksesshme” dhe se tarifat do të bëjnë që amerikanët të paguajnë më shumë për prodhime të tilla si artikujt ushqimorë, benzina dhe makinat.

Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, ekonomia e së cilës e varur nga tregtia dërgon 80% të eksporteve të saj në SHBA, sugjeroi se vendi i saj mund të vendosë gjithashtu tarifa hakmarrëse.

“Është një vendim që varet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha zonja Sheinbaum para komenteve të së hënës të zotit Trump. “Pra, cilido qoftë vendimi i tij, ne do të marrim vendimet tona dhe ka një plan. Në Meksikë ka unitet”.

Pasi Presidenti Trump njoftoi për tarifat e reja ndaj Meksikës dhe Kanadasë muajin e kaluar, Presidentja Sheinbaum dërgoi 10,000 trupa në kufirin verior të Meksikës me SHBA-në për të frenuar rrjedhën e narkotikëve.
Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës thanë këtë javë se kapjet e njerëzve që kalonin ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë ranë në një shkallë rekord të ulët në muajin shkurt.

Pasojat nga rritja e tarifave mund të tronditin ekonomitë e të tre vendeve, me ndoshta më pak kërkesë në SHBA për mallra meksikane dhe kanadeze që do të kushtonin gjithnjë e më shumë për konsumatorët dhe bizneset amerikane.

Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu të martën me një tarifë të re prej 10% për mallrat kineze, duke dyfishuar tarifat prej 10% të vendosura nga zoti Trump më 4 shkurt. Presidenti Trump ka fajësuar Kinën si burimin e trafikut të fentanilit në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.

Ministria kineze e Tregtisë tha në një deklaratë të martën se kundërshton me vendosmëri veprimin e Shteteve të Bashkuara dhe Kina do të marrë kundërmasa për të mbrojtur interesat e saj.

Kina tha gjithashtu se tarifat shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe dëmtojnë bashkëpunimin ekonomik SHBA-Kinë.

Ministria kineze e financave tha se duke filluar nga 10 marsi, Kina do të vendosë një tarifë prej 15% për importet e mishit të pulës, grurit, misrit dhe pambukut amerikan. Një tarifë prej 10% do të zbatohet për melekuqen, sojën, mishin e derrit dhe të viçit, frutat, perimet dhe bulmetin, tha ministria në një deklaratë.

Ekonomistët thonë se tarifat që Presidenti Trump po vendos ka të ngjarë të rrisin çmimet e shitjes me pakicë për konsumatorët dhe koston e materialeve për bizneset. Meksika, Kanadaja dhe Kina, sipas kësaj renditjeje, janë tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Bashkimi Evropian prej 27 vendesh është partneri më madh.

Presidenti Trump thotë se tarifat do të ishin një nxitje për kompanitë e huaja që të prodhonin më shumë në Shtetet e Bashkuara si një mënyrë për t’i shmangur ato. / VOA