Humbi jetën në një aksident tragjik, kush ishte 21-vjeçari shqiptar?

Rilind Thaçi, një i ri 21-vjeçar nga Kosova, punonte si kopshtar në kampingun e Union Lido në Ca’ di Valle, Itali, dhe priste me padurim të kthehej në shtëpi për të kaluar Krishtlindjet me prindërit e tij pas një viti larg. Më 15 nëntor, sezoni veror për të do të përfundonte dhe ai kishte planifikuar të udhëtonte drejt Malishevës. Megjithatë, natën mes të mërkurës dhe të enjtes, teksa kthehej nga Jesolo, ndodhi një aksident tragjik. BMW-ja e drejtuar nga kushëriri i tij doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë, pikërisht në anën ku ishte ulur Rilindi, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Rilindi kishte arritur të ndërtonte jetën e tij në Itali, me leje qëndrimi dhe një vend pune të sigurt. Ai jetonte me vëllain e tij 24-vjeçar dhe kishte plane për të blerë një shtëpi në Ca’ Savio. Pasioni i tij për futbollin e kishte bërë të njohur dhe të dashur në komunitet.

“Ai kishte arritur të përgatiste gjithçka”, tha kushëriri tjetër i Rilind Thaqit, Arbeni. “Ai tani ishte në rregull me lejen e qëndrimit, me vendin e punës, gati të merrte lejen e drejtimit dhe pastaj të blinte një shtëpi për vete në Ca’ Savio, pasi vëllai 24-vjeçar i tij është i martuar dhe Rilindi qëndronte pikërisht tek vëllai. Ai duhej të shkonte dhe të kalonte Krishtlindjet me prindërit e tij, të cilët kishin qenë këtu në Cavallino për ta vizituar në janar, pas Vitit të Ri, dhe ishin të lumtur sepse kishte gjetur një punë të mirë”.

“Gjithmonë kishte një buzëqeshje në fytyrë. Gjatë kësaj periudhe ai ishte vërtet i lumtur. Ai ndihej i plotësuar dhe kishte jetën përpara”, tha kushëriri tjetër, Dini Pacarizi.

Komuniteti shqiptar i Cavallino-Treportit dhe kolegët e kampingut e kujtuan Rilindin si një djalë të buzëqeshur dhe të përkushtuar, ndërsa drejtuesit e kampingut Union Lido e vlerësuan si një bashkëpunëtor të mirë që pritej të kthehej në punë sezonin e ardhshëm. Ngjarja preku edhe kryetaren e komunës, Roberta Nesto, e cila shprehu ngushëllimet për familjen dhe bashkatdhetarët e Rilindit.