Humbi jetën në moshën 54-vjeçare, kush ishte Andis Harasani, ish-deputeti socialist që la politikën për arsye personale
Andis Harasani ishte një nga figurat e Partisë Socialiste që mori dy mandate si deputet, por e ndërpreu karrierën politike para përfundimit të mandatit të dytë.
Ish-drejtori i Korporatës Elektro-energjetike Shqiptare (KESH) u angazhua në politikë në vitin 2005, kur Fatos Nano e kandidoi në njësinë nr. 4 të Tiranës, ku ai arriti të fitojë përballë kandidatit demokrat Shaban Memia.
Pas ndryshimeve në lidershipin e PS-së, Harasani ishte sërish kandidat në zgjedhjet e 2009-ës, këtë herë në zonën e Rrogozhinës, ku siguroi mandatin e dytë. Megjithatë, në vitin 2012 ai vendosi të dorëzojë mandatin për “arsye tërësisht personale”.
“Pas plot 7 vjetësh si deputet i Partisë Socialiste dhe përfaqësues i votuesve të qarkut të Tiranës, kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit për arsye tërësisht personale,” deklaroi ai në atë kohë, duke theksuar se do të vazhdonte mbështetjen për PS-në.
Pas largimit të tij, mandatin e mori Auron Tare, ndërsa Harasani vijoi angazhimet e tij personale jashtë Shqipërisë.