Humb jetën një turist malazez në Lëpushë, dyshohet për…

Një turist 71-vjeçar nga Mali i Zi ka humbur jetën pasditen e sotme në fshatin Lëpushë, në Malësinë e Madhe, ndërsa po transportohej me autoambulancë drejt spitalit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, kur një grup turistësh malazezë kërkuan ndihmë mjekësore për shokun e tyre, i cili nuk ndihej mirë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe ekipi i urgjencës, të cilët transportuan turistin drejt spitalit.

Fatkeqësisht, 71-vjeçari nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Dyshimet e para tregojnë se shkak i vdekjes mund të ketë qenë një arrest kardiak.

Grupi hetimor po vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes.