Humb jetën gruaja ukrainase që rrezikoi mbytjen në Vlorë, vajza në gjendje kritike

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në plazhin pranë zonës së Lungomares në Vlorë, ku dy shtetase ukrainase, nënë e bijë, rrezikuan të mbyteshin gjatë pasdites së së premtes. Fatkeqësisht, gruaja ka ndërruar jetë pasi mbërriti në spital.

Trupi i pajetë i viktimës do të transportohet drejt morgut të Tiranës, për shkak të procedurave ligjore që zbatohen në rastet e shtetasve të huaj.

Ndërkohë, vajza e saj ndodhet ende në intubim, në gjendje shumë të rëndë në spitalin rajonal të Vlorës.

Ngjarja u bë e ditur pasi pushuesit panë gruan dhe vajzën në rrezik në det dhe Fitim Bozheku, një qytetar, ndërhyri menjëherë duke u dhënë ndihmën e parë dhe duke i nxjerrë në breg. Pushues të tjerë thanë se ambulanca mbërriti me vonesë, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e situatës.