Tërmet i fuqishëm në Turqi, lëkundje 6.2 ballë! Banorët në panik dalin në rrugë, paralajmërojnë sizmologët
Një tërmet i fortë me magnitudë 6.2 ballë goditi këtë të hënë në mesditë zonën e Silivrisë, në afërsi të Stambollit. Sipas të dhënave të AFAD (Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave në Turqi), tërmeti u regjistrua në orën 12:49 me orën lokale dhe kishte epiqendrën në ujërat e Marmarasë.
Lëkundjet u ndjenë fort në të gjithë rajonin e Marmarasë dhe në disa qytete përreth. Të frikësuar, qytetarët dolën me shpejtësi në rrugë, ndërsa autoritetet nisën menjëherë kontrollet për dëme të mundshme.
Vetëm pak minuta më herët, në orën 12:13, një tërmet më i lehtë me magnitudë 3.9 ballë ishte regjistruar në të njëjtën zonë, ndërsa pas lëkundjes kryesore janë ndjerë edhe disa pasgoditje, përfshirë një tjetër tërmet prej 4.4 ballësh në orën 12:51 dhe një tjetër me magnitudë 4.9 në orën 13:02.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya konfirmoi lëkundjet dhe deklaroi se të gjitha ekipet e emergjencës dhe strukturat shtetërore kanë nisur kontrollet në terren. “Urojmë që të mos ketë dëme të mëdha. Allahu e ruajtë vendin dhe kombin tonë nga fatkeqësitë,” tha ministri në një postim zyrtar.
Ndërkohë, sizmologu i njohur turk, Prof. Dr. Naci Görür, kishte publikuar një paralajmërim vetëm disa minuta para tërmetit, duke thënë se zona e Kumburgazit, ku ndodhet një nga segmentet më të rrezikshme të thyerjes sizmike në Detin e Marmarasë, është e ngarkuar me energji dhe kërkon vëmendje të shtuar.
AFAD ka apeluar qytetarët që të mos hyjnë në ndërtesa të dëmtuara, të qëndrojnë larg godinave me rrezik dhe të përdorin vetëm mënyra alternative komunikimi si mesazhet ose aplikacionet online për të shmangur bllokimin e linjave.
Nuk raportohen deri tani viktima, por ekipet janë ende në terren dhe situata vijon të monitorohet.